Paketa fiskale, turizmi kundër rritjes së TVSH: Formalizoni tregun ose unifikoni taksën
Shoqatat e turizmit kundërshtojnë rritjen e TVSH-së për akomodimin nga 6 në 10 për qind dhe kërkojnë formalizimin e tregut ose një normë të unifikuar për shërbimet turistike.

Përfaqësuesit e industrisë së turizmit i kanë kërkuar qeverisë të rishikojë propozimin e paketës fiskale për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për akomodimin nga 6% në 10%, duke argumentuar se sektori po përballet me rritje të kostove, zhvlerësimin e euros dhe konkurrencë të fortë nga vendet e rajonit.
Gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit dhe Unionit Turistik Shqiptar kërkuan që qeveria të përqendrohet te formalizimi i tregut dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë së industrisë, në vend të rritjes së barrës fiskale për strukturat akomoduese.
Topuzi: Rritja e kostove dhe zhvlerësimi i euros po rëndojnë sektorin
Zak Topuzi, përfaqësues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, deklaroi se industria turistike po përballet me presion të vazhdueshëm mbi kostot, ndërsa mundësitë për të rritur çmimet mbeten të kufizuara.
“Situata e turizmit nuk ka qenë shumë pozitive, sidomos për shkak të rritjes së shpenzimeve, duke nisur nga zhvlerësimi i euros, që ka arritur në gati 40%, ndërsa vetëm këtë vit në 6.4%. Ne vazhdojmë të shesim në platformat online në euro, sepse ato nuk na lejojnë të shesim në lekë. Nga ana tjetër, nuk mund të rrisim çmimet pa përmirësuar shërbimet. Faktorë të tjerë që kanë ndikuar në rritjen e kostove janë pagat dhe shtrenjtimi i lëndëve të para”, tha Topuzi.
Sipas tij, ulja e mëparshme e TVSH-së për akomodimin kishte si objektiv rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit dhe dha rezultatet e pritshme.
“Ulja e TVSH-së u bë me qëllim që sektori të ishte më konkurrues. Ky objektiv u arrit dhe masa dha rezultate”, u shpreh ai.
Topuzi theksoi se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të strukturave hoteliere shkon për komisionet e platformave ndërkombëtare të rezervimeve dhe shpenzime të tjera të lidhura me shitjen e shërbimeve.
“Rreth 70% e dhomave shiten përmes platformave si Booking.com. Komisionet që kërkojnë këto platforma, si Booking apo Expedia, variojnë nga 15% në 25% të çmimit. Nëse klienti është pjesë e programit Genius, duhet të ofrohet edhe një ulje tjetër prej 10%. Këtyre u shtohen edhe komisionet bankare. Pra, sipas përllogaritjeve tona, 50-60% e vlerës së shërbimit hotelier shkon për këto shpenzime, një nivel tejet i lartë. Ne nuk e arkëtojmë të plotë vlerën e shitjes”, tha ai.
Formalizimi i apartamenteve me qira, kërkesa kryesore e industrisë
Përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare të Turizmit e cilësoi informalitetin si një nga problemet kryesore të sektorit, veçanërisht në segmentin e apartamenteve që jepen me qira për turistët.
Për të ilustruar përmasat e problemit, Topuzi krahasoi numrin e turistëve dhe netqëndrimet e regjistruara në Shqipëri me ato të vendeve të rajonit.
“Shqipëria ka 12.4 milionë turistë dhe 10 milionë netqëndrime. Mali i Zi ka 2.7 milionë turistë dhe 16 milionë netqëndrime, ndërsa Kroacia ka 20.7 milionë turistë dhe 110 milionë netqëndrime”, tha ai.
Sipas Topuzit, përparësi duhet t'i jepet formalizimit të tregut, një çështje që është përfshirë edhe në diskutimet për ligjin e ri të turizmit.
“Për ne, barra fiskale është mjaft e lartë dhe çështja nuk është aq e thjeshtë sa të diskutohet vetëm nëse TVSH-ja do të rritet nga 6% në 10%. Ne kërkojmë që TVSH-ja të mbetet 6% dhe, paralelisht, të formalizohet tregu.
Mjafton që qeveria të ketë vullnetin për ta realizuar këtë”, u shpreh ai.
Topuzi kërkoi gjithashtu zbatimin e mekanizmave për raportimin e transaksioneve nga platformat online, sipas praktikave europiane, me qëllim identifikimin e aktivitetit ekonomik që aktualisht mbetet jashtë sistemit tatimor.
“Europa ka një kuadër ligjor që i detyron platformat e shitjeve online të raportojnë çdo transaksion. Pikërisht këtë duhet të bëjmë edhe ne. Platformat janë të gatshme të bashkëpunojnë për formalizimin e tregut. Nëse synojmë të formalizojmë një pjesë të tregut që aktualisht nuk paguan fare taksa, atëherë ruajtja e TVSH-së në nivelin 6%, e shoqëruar me formalizimin, do të ishte zgjidhja më e mirë”, tha ai.
Ai shtoi se në vendet europiane normat e reduktuara të TVSH-së nuk kufizohen vetëm te akomodimi, por përfshijnë edhe shërbimet e ushqimit.
“Në Shqipëri kemi 6% TVSH për akomodimin dhe 20% për ushqimin. Nëse TVSH-ja për akomodimin rritet në 10%, ndërsa për ushqimin dhe pijet mbetet 20%, sektori do të përballet me një barrë tatimore më të lartë, duke humbur konkurrueshmërinë.
Ne nuk jemi ende të përgatitur, as në standarde, as në cilësi dhe as në nivelin e shërbimit, për të përballuar këto nivele taksimi dhe rritje cmimi”, deklaroi Topuzi.
Unioni Turistik Shqiptar kërkon TVSH të unifikuar 10 për qind
Edhe Rrahman Kasa, përfaqësues i Unionit Turistik Shqiptar, kundërshtoi propozimin për rritjen e TVSH-së vetëm për akomodimin, duke kërkuar një normë të unifikuar prej 10% për të gjitha shërbimet turistike të ofruara nga strukturat akomoduese.
“Edhe me nivelin aktual të taksave, ne nuk jemi në një pozicion të favorshëm krahasuar me vendet e rajonit. Sektori i akomodimit ka shënuar rritje, por sa i përket paketës së përgjithshme të shërbimeve, ne mbetemi larg vendeve të rajonit”, tha Kasa.
Ai solli si shembull normat e TVSH-së që aplikohen në disa nga destinacionet kryesore konkurruese të Shqipërisë.
“Mali i Zi aplikon një TVSH prej 7%, ku përfshihen akomodimi dhe ushqimi. Maqedonia e Veriut ka një normë prej 10% për shërbimin dhe ushqimin. Italia ka një nivel më të ulët se ne, ndërsa Greqia aplikon 13%, duke përfshirë të gjitha shërbimet, edhe transportin turistik. Edhe Kroacia aplikon një normë prej 13% për paketat half board dhe full board”, tha ai.
Sipas Kasës, industria e turizmit e ka paraqitur edhe më herët kërkesën për unifikimin e TVSH-së, por ajo nuk është marrë parasysh në propozimin aktual të paketës fiskale.
“Ne kemi kërkuar edhe më herët që të aplikohet një normë e unifikuar TVSH-je prej 10% për sektorin, duke përfshirë jo vetëm akomodimin, por edhe ushqimin, pijet dhe transportin brenda strukturave akomoduese”, tha ai.
Kasa argumentoi se një normë e unifikuar mund të ndihmojë edhe në uljen e evazionit fiskal, pasi diferencimi i normave të TVSH-së për shërbime të ndryshme krijon hapësira për abuzime.
“Ne mendojmë se, duke unifikuar TVSH-në në 10%, shteti do të luftonte edhe evazionin fiskal, pasi diferencimi aktual i normave krijon hapësira për abuzime”, u shpreh Kasa.
Përfaqësuesi i Unionit Turistik Shqiptar kritikoi gjithashtu mungesën e konsultimit paraprak me industrinë për ndryshimet e propozuara.
“Propozimi për rritjen e TVSH-së vetëm për akomodimin, i bërë pa u konsultuar me përfaqësuesit e sektorit, na vendos në një pozicion edhe më pak konkurrues krahasuar me vendet e rajonit”, përfundoi Kasa.
Propozimi për rritjen e TVSH-së së akomodimit nga 6% në 10% mbetet pjesë e diskutimeve për paketën fiskale. Ndërsa Shoqata Shqiptare e Turizmit kërkon ruajtjen e normës aktuale dhe formalizimin e tregut, Unioni Turistik Shqiptar propozon një normë të unifikuar prej 10% për shërbimet turistike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)